I themeluar në vitin 1962, Muzeu "Jorgji Qirjako" ruan dhe paraqet trashëgiminë historike e kulturore të krahinës së Kolonjës. Koleksionet e tij përfshijnë gjetje arkeologjike nga vendbanimet prehistorike të zonës, si dhe një fond etnografik me kostume tradicionale e tekstile karakteristike për rajonin. Një vend të rëndësishëm në muze zë arkivi fotografik i Dhimitër Vangjelit (1872–1957), i njohur si "Marubi i Kolonjës", që përmban rreth 1300 negativë në xham. Ky fond, i rizbuluar pas 60 vitesh harrese brenda një arke municionesh, ofron një dëshmi të pasur dhe të gjallë të jetës kolonjare nga fillimi i shekullit XX deri në vitin 1945, duke përfshirë portrete familjare, rite kalimi, festa tradicionale, si dhe shkrepje të rralla të figurave historike si Themistokli Gërmenji dhe vëllezërit Bellkameni.
Mirë se vini në Kolonjë!
Vizito
Në majën e një kodre shkëmbore në Kolonjë, 930 metra mbi nivelin e detit, ndodhet vendbanimi prehistorik i Kamnikut, që i përket periudhës së Neolitit të Vonë (5000–4500 p.e.s.). Gërmimet e kryera gjatë viteve 1960–1970 nga arkeologët Frano Prendi dhe Skënder Aliu zbuluan mbetjet e një muri gurësh dhe të një kompleksi furrash të ndërtuara me kujdes, të vendosura në dy rreshta paralelë me një vatër të përbashkët në qendër. Ky organizim tregon për një prodhim artizanal të mirëstrukturuar, ndërsa mungesa e mbetjeve të banesave sugjeron se Kamniku mund të ketë shërbyer më shumë si një qendër e fortifikuar e mjeshtërve sesa si një fshat banimi. Krahas furrave, janë zbuluar tre vegla të punuara nga obsidian, një gur vullkanik që nuk gjendet në Shqipëri dhe tregon lidhje tregtare në distanca të largëta, busti i një figure femërore i emërtuar "Nëna e Madhe" dhe dy vazo në formë kambane, dëshmi të një jetese të pasur ritualistike, bitum i sjellë nga Selenica, një vendbanim mbi 100 km larg Kamnikut, si dhe një guaskë deti e shpuar shoqëruar me dhëmbë derri të egër të përdorura si stoli, të gjitha këto duke dhënë një pasqyrë të qartë mbi jetesën, ritualet dhe burimet që shfrytëzonin banorët. Pamja mbresëlënëse mbi Kolonjë dhe mundësia për të zbuluar nga afër një faqe të hershme të historisë së saj e bëjnë Kamnikun një vend të veçantë për vizitorët.
Eksploro
Mali i Gramozit shtrihet në kufirin juglindor të Shqipërisë dhe dallon për peizazhet e tij me kreshta të thepisura dhe lugina të thella. Nga shpatet e malit gjejnë pikënisjen lumenjtë Osum dhe Devoll ndërsa në lartësitë e tij ndodhet Liqeni Akullnajor i Gramozit, vendmbërritja qetësuese për të gjithë personat që zgjedhin të marshojnë në shpatet e tij.
Rezervati Shelegur–Gërmenj ofron një peizazh malor me pyje të dendur bredhi, pishe dhe ahu, e kafshë si ariu, ujku dhe kaprolli. Në mes të gjelbërimit ndodhet liqeni akullnajor i Shelegurit, një sipërfaqe uji e kthjellët që pasqyron majat e largëta të vargmaleve të Nemërçkës. Pak më tutje, rrënojat e Kalasë ilire të Radanit i japin vendit një karakter historik të veçantë, duke e bërë këtë zonë një vend ku qetësia dhe historia bashkëjetojnë.
Në zemër të Leskovikut ngrihet madhështor Rrapi i Leskovikut, një rrap oriental 300-vjeçar i shpallur monument natyror me vlera të veçanta shkencore dhe estetike. Ai ngrihet deri në 18 metra lartësi dhe ka një perimetër trungu prej 4,4 metrash, duke qenë qendra e palëkundur e qytetit që nga fillimi i shekullit XVIII dhe dëshmitar i heshtur i historisë së tij moderne. Në bazë të tij gjendet një çezmë guri piktoreske, ndërsa kurora e gjerë në formë kubeje ofron hije të freskët e mikpritëse për kalimtarët. Sot, ashtu si dikur, ai mbetet jo vetëm simbol i trashëgimisë së Leskovikut, por edhe zemra e gjallë e jetës së tij shoqërore.
Të njohura si "Uji Çudibërës" nga Lord Bajroni, Banjat e Sarandoporit ndodhen pranë qytetit të Leskovikut, në bregun e lumit Sarandopor, brenda një kanioni të gjatë rreth 200 metra. Këto burime termale me temperaturë të qëndrueshme prej 29 deri në 40°C krijojnë vaska natyrore që përdoren për trajtimin e sëmundjeve reumatizmale dhe problemeve të lëkurës. Me pamje panoramike nga malet e Melesinit dhe Nemërçkës, llixhat ofrojnë një ambient të qetë dhe të paprekur, larg turizmit masiv dhe zhurmës së qytetit.
I emëruar sipas Fondacionit Neuron, i cili financoi zbulimin e tij, Liqeni Neuron është liqeni termal nëntokësor më i madh në botë. I zbuluar në vitin 2021 pasi një grup speleologësh çekë ndoqën një kolonë misterioze avulli, ai shtrihet 127 metra nën tokë dhe arrihet përmes një gryke të thellë të quajtur Atmos. Këtu, uji i nxehtë acidik vazhdon të gërryejë shkëmbin në një proces të rrallë të njohur si speleogjenezë e acidit sulfurik. Brenda shpellës gjigante, mbi 8 300 metra kub ujëra të kristalta dhe të pasura me minerale mbajnë një temperaturë të qëndrueshme prej 26°C gjatë gjithë vitit dhe vazhdojnë të tërheqin vëmendjen e kureshtarëve e komunitetit shkencor.
Përjeto
Shijo
Copraniku, një nga gatimet më të njohura të Kolonjës, e ka marrë emrin nga mënyra karakteristike e përgatitjes me copa të vogla brumi. Ai përgatitet me miell misri, gjalpë dhe, sipas dëshirës, presh të freskët. Nga këta përbërës formohet një brumë i butë, i cili ndahet në copa të vogla rrethore dhe vendoset në tepsi. Copat mbulohen me djathë të bardhë të bluar dhe piqen, duke krijuar një gatim të shijshëm dhe tipik të traditës kolonjare.
Ndryshe nga metoda tradicionale ku gjalpi nxirret nga tundja e qumështit, në Kolonjë ai përgatitet shpesh nga kosi. Kosi i pasur me yndyrë tundet derisa yndyra të ndahet nga lëngu dhe të formohet masa e gjalpit. Kjo më pas shpëlahet disa herë me ujë të ftohtë dhe, sipas dëshirës, i shtohet kripë ose erëza si hudhra e freskët dhe majdanozi për një aromë më të gjallë. Lëngu i mbetur quhet dhallë, një pije e lehtë dhe e freskët me shije pak të thartë, që shërbehet e ftohtë ose përdoret për të shoqëruar gatime tradicionale brumi si byrekët dhe petullat.
Bakllavaja, një ëmbëlsirë me origjinë orientale, është pjesë e pandashme e tryezave shqiptare gjatë festave dhe ditëve të veçanta. Ajo shijohet kryesisht gjatë ndërrimit të viteve, Bajramit dhe në dasma, dhe përgatitet me petë brumi të mbushura me arra, të cilat piqen dhe më pas mbulohen me shërbet të ngrohtë. Në Kolonjë, ky gatim merr një ngjyrim të veçantë falë një zakoni të vjetër: bakllavaja përgatitet "duke i kënduar". Gratë që mblidhen për ta përgatitur këndojnë vargje të çastit, plot gëzim dhe gjallëri, që pasqyrojnë çdo hap të punës – nga hapja e petëve deri te hedhja e shërbetit. Ky ritual e shndërron përgatitjen e bakllavasë në një ngjarje festive dhe bashkuese, duke përcjellë hare te dëshmitarët e rastit.