Mirë se vini në Shkodër!

Lartuar mbi qytetin e Shkodrës, Kalaja e Rozafës mban emrin e Rozafës, një gruaje të re legjendare që u muros padrejtesisht si sakrificë për ngritjen e kalasë. Sipërfaqja e saj prej 9ha e ndarë në tre oborre kryesore mban gjurmë nga qytetërimet ilire, osmane dhe veneciane. Në oborrin e parë gjenden rrënojat mesjetare të kullave të Balshajve dhe një mur ilir i shek. IV para Krishtit që përbën dhe gjurmën më të vjetër të kalasë. Në oborrin e dytë dhe të tretë gjenden respektivisht rrënojat e Xhamisë së Sulltan Mehmet Fatihut si dhe një godinë tre katëshe e periudhës veneciane, e njohur si Kapitaneria. Në këtë godinë ndodhet sot Muzeu i Kalasë së Shkodrës që përmban informacione për historinë 2000 vjeçare të kalasë si dhe për familjet më të rëndësishme mesjetare të qytetit të Shkodrës. Jashtë, bedenat ofrojnë pamje mbresëlënëse të Liqenit të Shkodrës e pikëtakimit të lumenjve Drin, Kir dhe Buna.

Një fortesë bizantine e shek. XIII me funksion parësor vendbanimin, Kalaja e Drishtit u kthye gradualisht në një nga fortesat zinxhir që mbronin Shkodrën. Sot në brendësi të saj mund të shihen kullat, kisha dhe kopshti i kalasë, dëshmi të heshtura të historisë së saj 800 vjeçare.

Muzeu Marubi jep një vëzhgim të gjallë mbi evoluimin e artit të fotografisë në Shqipëri si dhe vetë historisë së saj nëpërmjet ~500 000 objektivëve të ekspozuar në të, përmbajtja e të cilëve varion nga portretet e njerzve të shquar të kohës, zakonet etnokulturore të ndryshme e deri te ngjarjet historike më të mëdha të vendit. I ndarë në tri pjesë, dedikuar respektivisht Pietro, Kel dhe Gegë Marubit, muzeu përmban gjithashtu fotografi nga artistë të tjerë të shquar shkodranë si Kolë Idromeno, Shan Pici, Dedë Jakova, Pjetër Rraboshta e Angjelin Nenshati, që shërbejnë si dëshmi e zhvillimit të artit të fotografisë në atë periudhë. Muzeu Marubi është i hapur çdo ditë në orarin 09:00 – 16:00 (të dielën 10:00 – 15:00) dhe ofron çmime të ndryshme biletash në varësi të vizitorëve ku bileta e zakonshme kushton 700 lekë.

I hapur në vitin 1947, Muzeu Historik i Shkodrës përbëhet nga muzeu qëndror, i vendosur në shtëpinë e Oso Kukës, dhe muzeu i Kalasë Rozafa. Muzeu në tërësinë e tij përmban 4 seksione dedikuar respektivisht etnografisë, arkeologjisë, artit pamor dhe bibliotekës së muzeut.

Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës është një muze dedikuar persekutimit komunist në Shkodër. Krahas objekteve dhe materialeve të burgimit të sjellë nga vetë të dënuarit politik apo familjarët e tyre, në muze gjenden të ekspozuara dhe dokumenta origjinale të kohës që dëshmojnë kryengritjet e para antikomuniste në Shqipëri, gjyqet ushtarake, persekutimin e klerit, internimet, arratisjet dhe pushkatimet. Muzeu është i ndarë në dy kate me nga 23 qeli secili, në njërën prej të cilave ka qendruar dhe At Zef Pllumi, figurë e njohur në publicistikën shqiptare. Muzeu mund të vizitohet nga e hëna në të shtunë përgjithësisht gjatë orarit 08:30 – 14:30 dhe ofron çmime të ndryshme biletash në varësi të vizitorëve ku bileta e zakonshme kushton 150 lekë.

Muzeu Dioqezan paraqet një udhëtim historik në identitetin e krishterë shqiptar nga lashtësia në epokën aktuale. I ndarë në dy pjesë kryesore, muzeu ofron nëpërmjet veprave artistike, sendeve kishtare, dokumenteve dhe dëshmive një vështrim mbi traditën e krishterë, rëndësinë që ajo ka si dhe vështirësitë që praktikantët kanë kaluar për ta mbajtur gjallë atë. Muzeu mund të vizitohet çdo ditë nga e hëna në të premte në orarin 09:00 – 17:00 pranë Kishës së Madhe. Bileta kushton 100 lekë.

I gjendur në një kullë mbi 300 vjeçare, Muzeu Etnografik i Thethit ofron një tablo mbi organizimin e jetës së përditshme në gegëri me veshjet, mjetet e punës, luftës e orenditë shtëpiake. Fatkeqësisht muzeu është aktualisht në nevojë për ndërhyrje restauruese dhe për pasojë vizitimi i tij nuk ka një orar fiks.

Rrëzë Kalasë së Rozafës, Xhamia e Plumbit është e vetmja xhami shqiptare mes atyre 50 më të bukura në botë. Vendodhja e saj pranë lumenjve ka bërë që xhamia të ketë qenë disa herë pre e përmbytjeve. Xhamia e Plumbit u ndërtua në vitin 1774 nga Mehmet Pashë Bushatlliu me gurë të kaltër e të bardhë dhe kupola të veshura me plumb, të cilat i dhanë dhe emrin. Ndër elementë të veçantë të xhamisë janë oborri i saj me kolona para sallës së faljes dhe mungesa e minaresë, pasi u rrëzua në vitin 1967 si pasojë e goditjes së një rrufeje. Pas ndërprerjes së aktivitetit fetar gjatë periudhës komuniste, Xhamia e Plumbit iu rikthye komunitetit mysliman pas viteve '90.

Xhamia Ebu Bekër, e njohur ndryshe si Xhamia e Madhe u ndërtua në vitin 1995. Ajo u ngrit në të njëjtin territor me Xhaminë e Fushë-Çelës, një xhami e periudhës osmane, prishur gjatë viteve të komunizmit. Në ditët e sotme Xhamia e Madhe mbetet xhamia kryesore në qytetin e Shkodrës.

Katedralja e Shën Shtjefnit ose Kisha e Madhe, u ndërtua në vitin 1867 pas kontribuimit në vlera monetare të disa figurave historike si Sulltani, Papa dhe Perandori i Austro-Hungarisë si dhe vullnetarëve të ndryshëm nga familjet katolike shkodrane. Katedralja ka një tavan të harkuar 23.5 metra të lartë zbukuruar me afreske nga Kolë Idromeno, ku bien në sy detaje si Zonja e Shkodrës, ëngjëj të veshur me kostume qytetare shkodrane dhe Kalaja e Rozafës. Gjatë periudhës komuniste, katedralja u kthye në pallat sporti për t'i hapur sërish dyert për besimtarët katolikë si kishë në vitin 1991.

Kuvendi i Shën Françeskut gjendet në zonën e Gjuhadolit. I ndërtuar në vitin 1906, historia e Kuvendit lidhet ngushtë me disa figura të rëndësishme të vendit si Gjergj Fishta e Shtjefën Gjeçovi, të dy fretër të këtij Kuvendi. Gjatë periudhës komuniste Kuvendi dhe Kisha Françeskane shërbyen në funksione të ndryshme si burg, zyrë kooperative, çerdhe fëmijësh e kinema, për t'u rikthyer në funksionin origjinal pas viteve '90.

Kisha e të Ngjiturit të Zojës në Qiell, thirrur shpeshherë si Kisha e Thethit, gjendet në qendër të fshatit Theth me themele që datojnë në vitin 1892. Në vitet 1900 mjediset e saj kanë shërbyer si shkollë nën kujdesin e At Shtjefën Gjeçovit ndërsa gjatë periudhës komuniste u kthye në qendër shëndetësore. Pas viteve '90 kisha u rindërtua me një arkitekturë alpine dhe iu rikthye funksionit të saj fetar. Sot qendron si një nga pamjet më të njohura të fshatit të Thethit.

Gjuhadoli është një nga zonat historike më të populluara të qytetit ku gjenden disa ndërtesa me rëndësi si Shtëpia e Gurakuqëve, Kuvendi Françeskan e Shtëpia e Kolë Idromenos. Rrugët me kalldrëm dhe lokalet e shumtë në të gjitha kthinat e tij e bëjnë Gjuhadolin një pikëfillim të çdo vizite në Shkodër.

Me një gjatësi prej 108m, Ura e Mesit është ura më e gjatë në Shqipëri nga periudha e Perandorisë Osmane. Duke lidhur Shkodrën me Drishtin në një mjedis piktoresk mbi lumin Kir, Ura e Mesit me 13 harqet e saj të gurta përbën një monument kulturor shumë të vizituar të qytetit.

Vila e Zogut ishte një dhuratë nga tregtarët e Shkodrës për Mbretin Zog vendosur në zonën turistike të Shirokës. Me kalimin e kohës vila ka pësuar dëmtime të shumta duke qenë dhe pre e një zjarrvënieje në vitin 2001 por ende vazhdon të zgjojë interesin e vizitorëve për arkitekturën e saj projektuar nga Kolë Idromeno.

Kafja e Madhe është një nga ndërtesat simbolike që ka ndihmuar në njohjen e Shkodrës si djep kulturor. E ndarë në dy kate, pjesa e poshtme, funksiononte si një kafene-sallon me rreth 50 tavolina dedikuar pushimit, diskutimeve intelektuale e lojërave si bilardo, shah, etj. Kati i dytë shërbente si hotel me 9 dhoma gjumi e 2 banjo të përbashkëta. Në historinë e tij mbi 100 vjeçare, projekti i Kolë Idromenos pësoi një degradim të shtuar pas ndryshimit të sistemeve në vitet '90 dhe gjendet aktualisht në proces rindërtimi.

Kulla e Ngujimit është një kullë e ndërtuar me gurë tre katëshe, me dritare të vogla, që përmendet në shënimet e studiuesve Edith Durham, Baroni Nopça dhe At Shtjefën Gjeçovi. Ajo shërbente për ngujimin e personave që kryenin faj dhe për pajtimin e familjeve të prekura. Brenda saj gjendet një sofër druri, disa lëkurë për t'u shtrirë, enë për të ngrënë dhe një armë.

Fokus

Kështjella e Drishtit
Ura e Mesit

Me lugina të thella, cirqe akullnajore e pyje të dendura, Alpet Shqiptare përbëjnë kurrizin më të lartë malor të Alpeve Dinarike. Ato përfshijnë maja shkëmbore të shumta si ajo e Radohimës, e Shkëlzenit, e Hekurave, e Harapit dhe e Jezercës, që me lartësinë e saj prej 2694m shënon pikën më të lartë në to. Në një nga këto maja gjendet dhe Shpella e Puçit, shpella më e madhe në Shqipëri. Pllajat e tyre zbukurohen nga një mori liqenesh akullnajore, 30 prej të cilëve gjenden të grumbulluar vetëm në Malësinë e Gashit. Pishat, bredhat dhe gështenjat strehojnë kafshë karakteristike si ariu, rrëqebulli e shqiponja e maleve. Kudo vendi merr jetë nga ujërat e ftohtë të lumenjve të Valbonës, Shalës dhe Cemit që me freskinë e tyre ushqejnë dhe mbajnë gjallë natyrën e egër të Alpeve Shqiptare.

Një pamje e prekshme e natyrës së egër, me maja të larta shkëmbore e ujëra të ftohtë, Parku Kombëtar i Thethit përfshin një pjesë të madhe të Alpeve Shqiptare. Me një sipërfaqe prej 2630ha, parku mirëpret deri në 10 000 vizitorë në vit dhe shërben si shtëpi e një shumëllojshmërie të pasur gjallesash, ku përfshihen 1500 lloje bimësh të ndryshme dhe kafshë si ariu i murrmë, rrëqebulli, kaprolli, etj. Në skajin më verior gjendet fshati Okol, pikënisja e Lumit të Shalës, një prej lumenjve më të gjatë të parkut. Përgjatë brigjeve të tij ngrihen çadra e tenda që shfrytëzohen për plazh dhe kamping nga pushuesit e shumtë. Në qendër të parkut, Kisha e Thethit është një nga monumentet më të fotografuar të zonës. Risi këtu është zbritja me kabllo (zipline), që ofron një mënyrë të re të përjetimit të vendit. Pranë kishës ndodhet Kulla e Ngujimit, një vend ku gjykoheshin, dënoheshin dhe pajtoheshin hakmarrjet në Shqipërinë e shkuar. Për dashamirësit e marshimeve, Kanionet e Grunasit dhe të Kaprresë ofrojnë mundësi të shumta për ecje në shtigje malore. Ky i fundit shpie përmes Vaskave të Gurta dhe te Syri i Kaltër, një prej vendeve më të vizituara në park, simbol për bukuritë natyrore që Thethi ka për të ofruar.

Mes gjelbërimit dhe blusë së lumit, Lugina e Shalës jep mundësinë për një ribashkim me natyrën larg jetës moderne. Marshimet në male, eksplorimet në brigjet shkëmbore dhe tendat në pyje janë pjesë e aventurës për vizitorët e shumtë të zonës. Poshtë në lumë, plazhet dhe shëtitjet me varkë përbëjnë një zgjedhje të përkryer për stinën e verës.

Kanioni i Grunasit shtrihet në zonën e Thethit me një gjatësi 2km dhe gjerësi që shkon deri në 30 – 40m. Përveç pamjeve te bukura që ofron, Kanioni i Grunasit është i përshtatshëm dhe për lundrimin me kanoe. Në hyrje të tij formohet Ujëvara e Grunasit. Me një lartësi 25m, kjo ujëvarë ofron një mori reflektimesh e ngjyrash si shpërblim për marshimet disa orëshe që duhen për ta arritur atë.

Vaskat e Gurta janë një formacion shkëmbor te Kanioni i Kaprresë në Theth me sipërfaqe të lëmuara, të bardha në rozë. Të krijuara nga gërryerja e vazhduar e Lumit të Zi, gropat më të mëdha janë një mundësi e mirë për tu përballur me ditët e nxehta.

I gjendur mes një ahishteje në bjeshkën e Thethit, Syri i Kaltër është një pellg ujor me thellësi që shkon deri në 5 metra. Vajtja për te Syri i Kaltër kërkon rreth 3.5 orë ecje në këmbë përgjatë Vaskave të Gurta në Ndërlysaj dhe shtigjeve shkëmbore të Kaprresë. Vendmbërritja shërben për vizitorët një pamje mbresëlënëse me ngjyrat e kaltra a të smeraldit në varësi të stinës.

Me një sipërfaqe prej 368km2, Liqeni i Shkodrës është liqeni më i madh në Ballkan. Shtruar me zambakë uji, ai shfrytëzohet çdo vit nga pushues të shumtë për plazh, sporte ujore e shëtitje, falë dhe pamjeve piktoreske përgjatë brigjeve. Zonat përreth tij shërbejnë si strehë e 270 llojeve të ndryshme të shpendëve, gati 80% e të gjithë shpendëve në Shqipëri. Fotografët e natyrës mund të fiksojnë çaste të ndryshme nga jeta e lejlekëve, pelikanëve madje dhe shpendit emblematik kombëtar, shqiponjës.

Shëtitorja e Molos është një nga vendet që gëzon shumë popullaritet në Shkodër. Shtrirë pranë lumit të Bunës, me ajrin e freskët e stolat e shumtë përgjatë rrugës, ajo mbetet një nga vendet më të vizituara gjatë mbrëmjeve verore.

Shtrirë mes Malit të Taraboshit dhe Liqenit të Shkodrës, fshati turistik i Shirokës ofron një atmosferë të qetë me plazhe, biçikleta e restorante tradicionale. Shëtitorja e saj me motive nga qilimat shqiptarë është kandiduar si vendi evropian me arkitekturën më të mirë bashkëkohore për vitin 2022. Mbi kodër, Vila e Mbretit Zog përmbyll vizitat e shumë kureshtarëve që vijnë për të parë nga afër atë ç'ka ka mbetur nga projekti i Kolë Idromenos.

Plazhi i Velipojës shtrihet nga Laguna e Vilunit te Rana e Hedhun. Varka të shumta përgjatë bregdetit e restorante të ndryshëm nën hijen e pemëve ofrojnë një atmosferë familjare për pushime të qeta.

Fokus

Alpet Shqiptare
Lugina e Shalës

Zâ Fest është një festival që bashkon folkun geg me rryma të ndryshme bashkëkohore. I zhvilluar në sheshe natyrore të Parkut Kombëtar të Thethit apo Kalasë së Rozafës, Zâ Fest mbledh çdo vit mijëra artdashës në një shfaqje ngjyrash e ndjesish.

Swing Marathon, Andrra N'Tren është një festival udhëtues jazz që organizohet çdo vit më , në ditën ndërkombëtare të kësaj rryme. Grupe të ndryshme muzikore dhe balerinë të shumtë shoqërojnë nën tingujt e muzikës swing & jass një udhëtim me tren nga Tirana në Shkodër. Atmosfera e hareshme vazhdon në rrugët historike të Shkodrës dhe kulmon me një koncert në Teatrin Migjeni.

Shkodra Jazz Fest është një tjetër festival dedikuar muzikës jazz në të gjitha ngjyrat e saj. Çdo vit interpretime të shumta në jazz klasik, bashkëkohor, etnik, cigan e latin dhe aktivitete edukative në lidhje me to e kthejnë Shkodrën në një shtëpi mikpritëse për të gjithë dashamirësit e kësaj rryme brenda dhe jashtë vendit.

Karnavalet janë një festë me origjinë fetare karakterizuar nga humori i bejteve shkodrane e maskat veneciane. Me gjurmë të para që në vitet 1850, ato përbëjnë një ngjarje të rëndësishme të kulturës shkodrane. Banda e qytetit, kostume shumëngjyrëshe dhe personazhe komike mbushin rrugët e qytetit në një paradë të gjallë e festive. Karnavalet zgjasin tri ditë e përmbyllen me djegien e një dordoleci, simbol i të këqijave të atij viti.

Venice Art Mask Factory është një nga punishtet më të njohura në botë në krijimin e maskave veneciane. Ajo prodhon çdo vit mbi 30 mijë maska që eksportohen në vende të ndryshme që nga Dubai e deri në Australi. Ato figurojnë gjerësisht në karnavale, në zbukurime shtëpiake e madje dhe në filma hollivudian, si në veprën e Stanley Kubrick, Eyes Wide Shut. Këto të fundit së bashku me 700 – 800 modele të tjera si ai i Bautos, Arlekinos, Kolumbinës, Doktorit të Murtajës, etj. gjenden të ekspozuara në një hapësirë muzeale, të prekshme për të gjithë kureshtarët vendas e të huaj.

Dita e Liqenit të Shkodrës festohet çdo vit më dhe shënon hapjen e sezonit turistik për zonën e Shirokës. Një ditë ku tërë restorantet buzë liqenit nuk ngurrojnë të ofrojnë specialitetet e tyre tradicionale, Dita e Liqenit shoqërohet dhe me lojëra ujore si not, vaterpolo e kanotazh dhe konsiderohet një mënyrë e bukur për të shijuar verën shkodrane.

Lojra Popullore Fest organizohet çdo vit më në Kalanë e Rozafës dhe shërben si një ditë festimi tradicional e mbushur me veshje e instrumente popullore dhe sporte të ndryshme. Vëmendja përqendrohet te xhubleta, veshja karakteristike veriore, dhe muzika e luajtur me gjethe, një traditë e lashtë muzikore e zonës.

Festivali Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë është ngjarja më e rëndësishme kulturore për muzikën e fëmijëve në Shqipëri. I themeluar në vitin 1963 si një festival rajonal në Shkodër, ky festival mori përmasa kombëtare në vitin 1993. Që atëherë, Festivali mbledh çdo vit në Shkodër talente të reja nga mbarë Shqipëria, duke ndihmuar paralelisht në pasurimin e repertorit shqip të këngëve për fëmijë.

AniFest Rozafa është një festival dedikuar filmit vizatimor. Nisur në vitin 2010, kohët e fundit AniFest ka filluar të ketë njohje të gjerë botërore duke pasur prurje nga më shumë se 50 shtete.

Fokus

Zâ Fest
Swing Marathon, Andrra N'Tren
Karnavalet
Qengji i vogël

Në një qytet që rrethohet nga uji, tava e krapit është pjata më e njohur e kuzhinës shkodrane. Gatuar me qepë, hudhra, uthull, kumbulla të thata dhe gjethe dafine, tava e krapit përbën një pikë kyçe në udhëtimin e kujtdo që vendos të hajë një drekë në Shkodër. Mund të gjendet me lehtësi në shumicën e restoranteve.

Jahnia është një gjellë e përhapur në tërë Shqipërinë por në Shkodër vjen e shoqëruar me kumbulla. Mishi i viçit me qepët e hudhrat bashkohet me salcë domatesh, uthull, erëza e kumbulla dhe gatuhet ngadalë për një shije të shtuar.

Lakuriqi me kunguj është një formë e byrekut me kunguj pa petat e sipërme dhe të poshtme të brumit, me mbushjen e lëngshme të kungullit, qumështit, gjalpit, vezëve, sheqerit dhe kripe. Në restorantet e Shkodrës është një alternativë e shijshme për mëngjesin apo drekën.

Qytete të ndryshme të Shqipërisë kanë në menunë e tyre tradicionale të ëmbëlsirave një formë të sheqerpares. Në Shkodër këtë rol e mbulon haxhimakullja. E bërë me të verdhën e vezëve, miell, gjalp, sodë e sigurisht, sheqer, një haxhimakulle e realizuar mirë shërbehet e butë dhe e shkrifët. Pjesë karakteristike është dhe bajamja apo lajthia që vendoset në krye të ëmbëlsirës para pjekjes.

Tespixhja është një tjetër ëmbëlsirë tradicionale shumë e përhapur. Në Shkodër ajo gatuhet me një përzierje mielli gruri dhe misri, sodë, gjalpë e sheqer. E prerë zakonisht në formë rombi, tavës së pjekur i hidhet shërbet i ftohtë dhe është gati për t'u shijuar.